Festa e Birrës 2023
Festa e Birrës: Muzeumet
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar është çelur në vitin 1980. Eksponatet dhe fondet e pasura të tij përbëhen nga objekte historike, kulturore e artistike të periudhës mesjetare që lidhen kryesisht me trashëgiminë e krishterë bizantine dhe pas bizantine. Ikonat, objektet prej guri, koleksioni prej metalesh të çmuara, druri të gdhendur, tekstili, letre etj, janë shembuj të një larmie vlerash të paçmuara. Muzeu ka në sallën e ekspozitës permanente rreth 200 objekte arti. Në muze ndodhen disa laboratorë ekzaminimi e konservimi, mjediset e fondeve, si edhe një infrastrukturë modeste mikroklimaterike. Në ekspozitë paraqiten një pjesë e veprave më të mira mesjetare nga periudha e autorë anonimë, apo të paidentifikuar.Midis tyre dallohen ikonat e shek. XIII-XIV, duke vijuar më pas me kryeveprat e kryemjeshtrave si Onufri, Nikolla, vëllezërit Zografi e bijtë e tyre, mësues Kostandini, Onufër Qiprioti, Simoni i Adrenicës, si edhe të tjera vepra e autorë që kanë punuar në viset shqiptare e jashtë tyre. Në mes të këtij koleksioni janë rreth 150 autorë ikonografë shqiptarë dhe të huaj të zbuluar deri sot. Vepra më e njohur është “Monaliza e Ballkanit”, një ikonë e periudhës bizantine e Kryeëngjëllit Mikail. Drejtimet kryesore të aktivitetit të muzeut janë ekspozimi dhe promovimi publik, mbrojtja, konservimi dhe restaurimi i objekteve, studimi e puna shkencore, si edhe aktiviteti ndërkombëtar. Koleksioni ikonografik mesjetar është ekspozuar në godinën e re të muzeut, ndërtuar në vitin 2015 në Korçë, i cili ofron ambiente shumë të përshtatshme brenda parametrave bashkëkohore.
Muzeu Kombëtar i Arsimit
Ky muze është ngritur në godinën ku më 7 mars 1887 u hap e para shkollë shqipe ose siç njihet nga të gjithë “Mësonjëtorja”. Godina ishte dhuruar për shkollë nga patrioti korçar Diamanti Tërpo. Në stendat e muzeut ekziston fotokopja e abetares së parë shqipe e shkruar nga patrioti Naum Veqilarxhi, si dhe abetarja e dytë e patriotit Kostandin Kristoforidhi.Fotot e atdhetarëve të shquar që dhanë kontributin e tyre në çeljen e kësaj shkolle si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, apo figura të shquara të arsimit si motrat Qiriazi etj, janë gjithashtu të ekspozuara në këtë muze.
Muzeu Arkeologjik
Muzeu u krijua në vitin 1985 dhe mori formë më të gjërë e më të plotë pas riorganizimit të tij në vitin 1990. Ky muze është vendosur në dy banesa karakteristike korçare të fillimit të shekullit të XIX, të cilat për vlerat arkitektonike të tyre janë shpallur monumente kulture. Muzeu Arkeologjik Kombëtar është i veçantë në llojin e vet. Ai është përqëndruar në prehistorinë e zonës juglindore, e fillon nga periudha neolitike dhe deri në fazën e zhvilluar të epokës së hekurit.Në këtë muze janë përfaqësuar disa vendbanime të rëndësishme prehistorike si Maliqi, Potgoria, Dunaveci, Trajani e përmbyllet me një sezon të vogël të periudhave pas prehistorike. Tek Muzeu Arkeologjik Kombëtar ka rreth 1.200 objekte të ekspozuara, shumica me përkatësi nga epokat e neo-eneolitike, bronzit dhe epokës së hekurit.
Muzeu Oriental “Bratko”
Muzeu i Artit Oriental “Bratko” u çel në qershor të vitit 2003 duke përmbushur ëndrrën e Dhimitër Borjes (1903-1990), artist, fotograf dhe koleksionist i artit aziatik dhe antikuareve. Borja ka lindur në Korçë, ndonëse ai udhëtoi shumë nëpër botë dhe u vendos në Amerikë gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij.Në këtë muze ekspozohen 432 objekte si: piano, altar kinez, veshje për gra japoneze, funde e rripa kinezë, shpatë indoneziane, medalje europiane, piktura japoneze, fotografi të ndryshme, të cilat Borja i ka realizuar kur shërbente në Ballkan me mision të OKB-së. Pamjet fotografike janë krejt të veçanta. Ato tregojnë historinë shoqërore e kulturore menjëherë pas luftës si dhe rolin e rëndësishëm që luajti gjeneral Macarthuri në rindërtimin ekonomik dhe institucional të Japonisë. Arkivisti Zobel për Borian thotë: “Ai ishte një gjeni. Ai erdhi në këtë vend pa asgjë dhe me punën e tij arriti të bëhej i famshëm. Kjo mjafton për të treguar karakterin e tij të fortë”.
Muzeu “Gjon Mili”
Fotografi amerikan me origjinë shqiptare Gjon Mili, tani ka një kënd muzeal në qytetin e origjinës së tij, Korçë. 240 fotografi të realizuara nga fotografi me famë botërore janë ekspozuar në ambientet e brendshme të muzeut. Gjon Mili njihet si fotografi që përdori për herë të parë flashin elektronik dhe fotografimin e lëvizjes.Gjon Mili u lind më 24 nëntor 1904 në Korçë. Në moshën 5 vjeçare familja e tij emigroi në Rumani. Atje Mili kreu shkollën e mesme dhe në moshën 19-vjeçare u nis drejt Amerikës. U diplomua në Institutin e Teknologjisë së Massachusetts inxhinier ndriçimi. Gjatë kësaj kohe u mor me artin fotografik.