Festa e Birrës 2023

Festa e Birrës: Aventura në natyrë

Mali i Moravës

Mali i Moravës ndodhet në lindje të Korçës me lartësinë më të madhe 2042 m (maja e Badaroshit), me gjatësi 30 km e gjerësi 10 km. Shtrihet midis fushës së Devollit në lindje, fushës së Korçës në perëndim, grykës së Cangonjit në veri dhe Qafës së Kazanit në jug, e cila e ndan nga Gramozi.

Lartësitë mbizotëruese janë 1000-1500 m, me disa maja më të larta si Maja e Lartë (1878 m), Guri i Capit (1573 m) etj. Pjesa veriore ka dy kurrize që ndahen nga disa zgjerime, ndërsa pjesa jugore ka karakterin e një malësie, me forma të relievit akullnajor. Nga Morava burojnë disa përrenj që derdhen në Devoll dhe Osum.

Parku Kombëtar Bredhi i Drenovës

Bredhi i Drenovës ndodhet në Qarkun e Korçës dhe në rrethin e Korçës. Sipëfaqja aktuale është 1,380.00 ha. Park me rëndësi të veçantë për shkëmbimin e elementëve faunistike dhe floristike të vëndit tonë me ato të Greqisë. Është bërthamë dhe biokorridor për rruazorët e mëdhenj, si ariu (Ursus arctos), ujku (Canis lupus), kaprolli (Capreolus capreolus), duke fituar kështu vlera dhe rëndësi rajonale Ballkanike.

Larmi habitatesh: kullota natyrore subalpine dhe alpine, pyje të ahut (Fagus sylvaticus), pishës (Pinus sp.), bredhit (Abies sp.) dhe lajthisë (Corrilus avellana).

Kodrat e Qytetit

Rrëze maleve të Moravës shtrihen kodrat e qytetit që përbëjnë kurorën e tij. Afërsia që kanë me qytetin u jep atyre pamjen e nje ballkoni me pika mjaft tërheqëse. Gjatë periudhës së dimrit këto kodra mbulohen nga bora dhe përbëjnë një avantazh për zhvillimin e turizmit alpin dhe gjatë verës për zhvillimin e turizmit malor dhe atij të ekskursioneve.

Guri i Cjapit

Guri i Cjapit ndodhet në brendësi të parkut të Bozdovecit, në komunën Drenovë të rrethit të Korçës. Përfaqëson një bllok shkëmbor konglomeratik dhe ranor me formë të veçantë; ngjan me një deve të ulur në tokë. Emrin e ka marrë nga një cjap, që është rrëzuar në këtë shkëmb.

Gjatësia e këtij guri është 20-25 metra, gjerësia është 5-10 metra, dhe gati po kaq është lartësia. Përbëhet nga shkëmbinj konglomerat të modeluar nga erozioni dhe era. Ka vlera shkencore, didaktike, estetike e turistike. Vizitohet sipas itinerarit qyteti i Korçës-Drenovë-Bozdovec.