Festa e Birrës 2023

Festa e Birrës: Atraksione për vizitorët

Pazari i Vjetër Korçë

Pazari është objekt me vlera të hershme historike, kulturore e artistike. Karakterizohet nga ndërtesa një dhe dy katëshe, rrugica të ngushta e një stil ndërtimi që tërheq vëmendjen e vizitorëve. Në shekujt e kaluar pazari ka qenë vendi i shkëmbimeve të tregtarëve që vinin jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Turqia, Greqia, Trieste dhe Venecia. Ai ka qenë i shquar për hanet e vendosur njëri pas tjetrit ku ia vlen të veçohet Hani i Elbasanit dhe Hani i Manastirit, të cilët shërbenin si fjetore për njerëzit që vinin nga jashtë qytetit. Tregu me rreth 1.000 dyqane arriti kulmin e tij gjatë fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX.

Në strukturën urbanistike të qytetit, pazari krijonte një ansambël më vete. Të dy pjesët e pazarit që ndaheshin nga lumi lidheshin me ura të drunjta, ndërsa rruga kryesore që vinte nga qyteti e kalonte lumin mbi një urë të gurtë me qemerë, sipër së cilës ngriheshin dyqane. Pazari është djegur tre herë, por është ndërtuar sërish. Pazari i vjetër i’u nënshtrua rikonstruksionit të plotë në vitin 2015, duke u shndërruar në një qendër të rëndësishme historike, ekonomike dhe turistike të qytetit dhe gjithë rajonit. Një investim i cili tjetërsoi imazhin e këtij pazari dhe i riktheu atij vlerat historike.

Xhamia e “Iljaz Bej Mirahorit”/ Kulla e Sahatit/ Kopshti i Parajsës

Xhamia e “Iljaz Bej Mirahorit” është xhamia më e vjetër në Shqipëri dhe njëkohësisht monumenti më i vjetër i qytetit. Daton në vitin 1496, atëherë kur qyteti filloi të funksiononte si Njësi Administrative dhe mban emrin e Iljaz Bej Mirahorit (Ilia Panariti). Xhamia mbart vlera historike, kulturore, fetare dhe arkitektonike.

Është xhamia e parë me kube e ndërtuar në Shqipëri. Në brendësi është e lyer me të bardhë dhe ka disa piktura të Mekës dhe Medinës në mur. Kulla e Sahatit e rindërtuar në vitin 2015 së bashku me rikonstruksionin e sheshit para xhamisë “Kopshti i Parajsës” përbën një vlerë të shtuar për Korçën, duke nxjerrë në pah trashëgiminë kulturore dhe arkitekturore të saj.

Rikonstruksioni i kullës historike të Sahatit dhe sheshit para xhamisë krijon një ansambël harmonik midis Pazarit të Vjetër të qytetit dhe kësaj zone.

Kulla Panoramike/ Sheshi para teatrit “Andon Z. Çajupi”

Kulla Panoramike është një vepër arkitekturore e pozicionuar në sheshin para teatrit “ Andon Z. Çajupi”, e cila u jep mundësinë qytetarëve, por edhe vizitorëve të shohin nga lart lagjet tradicionale, Pazarin e Vjetër të Korçës, Varrezat e Dëshmorëve etj.

Sheshi para teatrit dhe teatri “Andon Z. Çajupi”, si rezultat i rikonstruksionit të plotë ofron një teatër modern, si edhe një hapësirë të re funksionale dhe publike për të gjithë qytetarët e Korçës.

Zona Këmbësore

Kthimi i bulevardit “Shën Gjergji” në zonë këmbësore, si edhe zgjerimi dhe rikonstruksioni i sheshit para Katedrales, e ka shndërruar Korçën në një qytet me një stil tërësisht të veçantë dhe plot hapësirë për ata që duan të jetojnë në këtë qytet. Ky projekt gjithashtu ka krijuar infrastrukturën e përshtatshme për ta kthyer qendrën e qytetit në një qendër tregtare dhe biznesi, ku ndodhen edhe pjesa më e madhe e institucioneve publike në qytet si Bashkia Korçë, Muzeu “Gjon Mili”, Muzeu i Arsimit, Shtëpia e Themistokli Gërmenjit etj.

Në këtë zonë ndodhet edhe hija në mozaik e Katedrales së “Shën Gjergjit”, e cila përfaqëson katedralen e quajtur Katedralja e “Shën Gjergjit”, ndërtesë me rëndësi historike, e cila u shkatërrua totalisht së ekzistuari gjatë fushatave antifetare të vitit 1968.

Parku “Vangjush Mio”

Hapësira e gjelbër e parkut “Vangjush Mio”, me pemë dhe bimësi që i përshtaten kushteve klimaterike të zonës, gjendet në qendër të qytetit dhe ofron hapësira moderne çlodhëse me stola dhe dekore kreacioni.

Nuk mungon këndi i lojërave dhe veprat e artit, skulptura dhe shatërvani. Rikonstruksioni total i parkut e shndërroi këtë pjesë të gjelbër të Korçës në një park model me standarde europiane, që ofron kushte shumë të mira për fëmijët, të moshuarit dhe familjet në Korçë.

Katedralja “Ringjallja e Krishtit”

Katedralja është ndërtuar në vitin 1994, dhe i përket besimit të krishterë ortodoks. Nga përmasat e saj cilësohet si më e rëndësishmja në Korçë dhe më e madhja në Shqipëri.

Katedralja “Ngjallja e Krishtit” karakterizohet nga një ndërtim prej betoni, ka tre kate dhe zë një sipërfaqe prej 1800 metra katrorë. Ajo simbolizon rikthimin e praktikave fetare në një vend ku të gjitha fetë ishin ndaluar që nga viti 1967 deri në 1991.

Bulevard “Republika”

Bulevard “Republika”, konsiderohet si monument kulture për shtëpitë karakteristike, pemët dhe lulet karakteristike të stinës. Njihet edhe bulevardi i xhiros, sepse është një nga pikat postare në qytet për shëtitjet në mbrëmje. Në këtë bulevard gjenden shumë bare dhe restorante të rëndësishme.

Parku “Themistokli Gërmenji”

Njihet edhe si “Bashta Themistokli”. Në këtë park ndodhen monumenti i “Themistokli Gërmenjit”, vendqëndrimi i Bandës së Qytetit, si edhe Libraria e fëmijëve dhuruar nga filantropi Thoma Turtulli. Themistokli Gërmenji është patriot i njohur, pjesëtar i lëvizjeve për liri e demokraci që ka ndihmuar qeverinë e Ismail Qemalit.

Pas emigrimit u kthye në atdhe e luftoi me forca të armatosura kundër synimeve aneksuese të trojeve shqiptare. Ka qenë kryetar i Këshillit Administrativ të Republikës Autonome të Korçës (1916). U dënua me pushkatim në Selanik (Greqi) nga një gjyq i forcave ushtarake franceze.

Lëndina e Lotëve

Njihet si vendi i përcjelljes së mërgimtarëve në shek. XIX. Korça është qyteti i vetëm që ka një vend të tillë që ruhet, dedikuar zanafillës së mërgimit, kur “aty ku mbaronte qyteti” mes qirinjve dhe lotëve, gratë prisnin burrat e ikur, ose lajmin se janë gjallë dhe mirë. Gjatë shek. XIX, kjo lëndinë u kthye në tempullin e mërgimtarëve. Kur Korça kishte jo më shumë se 12 mijë banorë, "Lëndina e Lotëve" ishte vendi ku ndaheshin rrugët.

Një shekull më parë, kjo lëndinë ndodhej buzë rrugës për në Manastir dhe Selanik, prej nga ku shqiptarët nisën mërgimin drejt Turqisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Amerikës. Mërgimi do të mbante gjallë jo vetëm ekonominë e qytetit, por edhe do të ndikonte në kulturën e vendit duke sjellë në vend atë që sot ka mbetur si trashëgimi nga e shkuara. Lëndina e lotëve që edhe sot mban të njëjtin emër, lëndinë ku dikur qahej, sot është një hapësirë rekreative për qytetarët.

Parku “Rinia”

Parku “Rinia” është parku urban më i madh i qytetit, me një sipërfaqe afërsisht 9 ha. Në këtë park mund të shijosh galerinë e hapur të skulpturave të artit modern në gur. Rikonstruksioni dhe rimodelimi i plotë i shesheve urbane përgjatë parkut, e ka shdërruar këtë park në ambientin çlodhës më të frekuentuar për të gjitha grupmoshat.

Krijimi i një amfiteatri të hapur në park, ndikon edhe në rigjallërimin e jetës artistike në qytet dhe tërheqjen e rreth 50.000 turistëve çdo vit.

Parku Japonez dhe Kopshtet Komunitare

Një hapësirë e re e gjelbëruar, e konceptuar me pasqyra uji, bimësi japoneze dhe detaje të tjera tipike është një atraksion i shtuar i qytetit të Korçës. Parku Japonez, sjell konceptin e parqeve të njohura që nuk janë vetëm hapësira të gjelbra, por edhe hapësira funksionale.

Pjesë e parkut, janë edhe “kopshtet komunitare”, ku mund të kultivohen prodhime të ndryshme nga familjet, që kanë dëshirë të merren me kopshtari.