Për 4 netë me rradhë, në datat 14-17 gusht 2008, Bashkia e Korçës organizoi Festën e Birrës, e cila pas suksesit të një viti më parë, erdhi këtë vit në edicionin e dytë të saj.
“Festa e birrës…Vetëm në Korçë”, ishte slogani i festës, i cili arriti të realizojë mjaft mirë synimin e Bashkisë, duke tërhequr një numër të madh vizitorësh vendas e të huaj që festuan dhe u argëtuan së bashku deri në orët e vona te natës.. Këtë vit u rrit numri i kompanive pjesëmarrëse, të cilat së bashku me sponsorat siguruan edhe mbështetjen kryesore financiare për realizimin e Festës së Birrës.
Në tendat e ngritura në sheshin e festës u servirën Birra Korça, Birra Stela, Birra Skopsko, por edhe Red Bull, si dhe produkte shqiptare të zgarës, kërnace, qofte e kolloface të sallamerive “Fix” e “Tona”, si dhe ëmbëlsira të Pastiçeri “Dajana”. I rëndësishëm është fakti se më të preferuarat ishin produktet e vendit, të cilat u konsumuan shumë herë më tepër se ato të importuara. Birra më e preferuar ka qenë “Birra Korça”me 80 mijë gota të konsumuara gjatë këtyre katër netëve.
Ambienti i festës ishte zbukuruar edhe me elementë të veçantë dekorimi të përdorura për herë të parë në qytet. Gjithashtu u trefishua kapaciteti i tavolinave që u vunë në dispozicion të qytetarëve, të cilat me siguri ishin të pakta krahasuar me pjesëmarrjen. Sheshi para Pallatit të Sportit “Tamara Nikolla”, lulishtet në të dy krahët por edhe në brendësi të Parkut “Rinia”, gjatë katër netëve ishin mbushur plot, jo vetëm me të rinj por nga të gjithë moshat. E veçanta ishte një pjesëmarrje mjaft e madhe e të rinjve nga rrethinat, të cilët u bënë edhe protagonistë në lojrat argëtuese të skenës. Për herë të parë Festa eBirrës pati një logo zyrtare, e cila do të jetë elementi i përvitshëm identifikues i festës, një faqe zyrtare interneti www.festaebirres.com si dhe suvenire.
Festa u promovua jo vetëm në rajonin e Korçës si dhe qytetet kryesore shqiptare, por edhe ne Selanik, Follorinë, Kostur, Strugë etj. Në hyrje të sheshit të rinjtë e forumit virtual Korçajonë.net ngritën një Info Point që ofronte të gjithë informacionin e mundshëm jo vetëm për festën, por për gjithë qytetin e rajonin. Programi i festës ka qënë i larmishëm.Gjatë katër netëve, në skenën e festës janë ngjitur emrat më të njohur të muzikës shqiptare si motrat Libohova, Redon Makashi, Aleksandër Gjoka, Bledar Seiko, Anxhela Peristeri, Kamela dhe Genti, Eneida Tarifa, Bojken Lako, grupet muzikore “Djemtë e Detit”, “Burn”, këngëtarët korçarë Eli Fara, Overdrive, Vëllezërit Prifti, Mateus Frroku e Laxarela si dhe surpriza e festës grupi shqiptar nga Tetova “Elita 5”, i cili e ka ndezur mjaft atmosferën duke shënuar dhe kulmin e saj. Me siguri, festa e birrës në Korçë, mund të quhet festa e traditës.