Festa e Birrës shënoi kulmin e sezonit turistik për qytetin e Korçës. Pas suksesit të tre viteve më parë, kjo festë erdhi këtë vit, në edicionin e katërt të saj, e shumëfishuar në të gjitha komponentët. Korça, tashmë i vetmi qytet në Shqipëri që organizon festën e birrës është kthyer në qendren e festimeve verore në Shqiperi.

Këtë vit u rrit numri i kompanive pjesëmarrëse, të cilat së bashku me sponsorat (AMC, Union Bank, Emporiki Bank, Konstruksion 93, Xromodhomi Albania, Albstar, Favina si dhe Universiteti Kristal) kanë siguruar dhe mbështetjen kryesore financiare për realizmin e festës së birrës. Pjesëmarrës në këtë event të madh kanë qënë Birra Korça, Birra Kaon, Birra Skopsko, Birra Peja, Birra Bavaria, Sallameri Fiks, Sallameri Caca, Sallameri Tanka si dhe pastiçeri Dajana.
Kanë qenë mijëra qytetarë të Korçës si dhe vizitorë vendas apo të huaj që kanë zgjedhur të mos mungojnë tek “Festa e birres” nga datat 12- 15 Gusht. Festa u shoqërua me një spektakël me emrat më të njohur të muzikës shqiptare dhe jo vetëm. Në natën finale kulmuan 2 grupe të huaja angleze, Elita 5 live si dhe këngëtari i mirënjohur grek Lefteris Pantazis.
Tashmë qyteti i Korçës ka konsoliduar një profil të vecantë turistik “Korça, qyteti i festave”, i cili po sjell edhe rezultatet e veta në zhvillimin e turizmit dhe rrjedhimisht në stimulimin e biznesit dhe ekonomisë lokale.